Një nga momentet kulmore të manifestimit tradicional “Në gjurmët e më të mirëve” ishte dekorimi i 27 studentëve më të dalluar nga pesë universitete të vendit, në shenjë vlerësimi për suksesin, përkushtimin dhe arritjet e tyre akademike.
Studentët e përzgjedhur nga dekanatet e fakulteteve përkatëse përfaqësonin Universitetin e Tetovës, Universitetin e Evropës Juglindore, Universitetin Ndërkombëtar Ballkanik, Universitetin “Nënë Tereza” dhe Universitetin “Shën Kirili dhe Metodi”.
Vëmendje të veçantë morën gjashtë studentët me notë mesatare maksimale 10.00: Taulant Murati, Sarah Kadriu dhe Erblina Skenderi nga Universiteti i Tetovës, Erblin Jakupi dhe Bora Ramadani nga Universiteti i Evropës Juglindore, si dhe Fatime Ajdini nga Universiteti “Nënë Tereza”.
Një histori e veçantë suksesi ishte ajo e Bora Ramadanit, e cila në vitin 2021 ishte dekoruar në të njëjtin manifestim si hafizja më e re e vitit, ndërsa këtë vit u rikthye në skenë për t’u vlerësuar për arritjet e shkëlqyera akademike.
Përveç dekoratave, studentët u shpërblyen me botime nga shtëpitë botuese “Furkan ISM” dhe “Logos-A”, ndërsa për studentët me mesatare 10.00 u ndanë edhe dhurata shtesë.
Përmes këtij manifestimi, Forumi Rinor Islam vazhdon traditën 26-vjeçare të vlerësimit të dijes dhe promovimit të të rinjve të suksesshëm, duke dëshmuar se përkushtimi ndaj arsimit dhe arritjet akademike meritojnë njohje dhe mbështetje të vazhdueshme.
Suksesi i këtyre studentëve përbën një shembull frymëzues për gjeneratat e reja dhe një dëshmi se investimi në dije është investim në të ardhmen e shoqërisë.
Shkup, 22 tetor 2026
